Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike kanë nisur qysh tash garën zgjedhore. Hashim Thaçi po krijon “qeveri në hije” në qytetet ku nuk arriti t’i marrë në vitin 2009, e Isa Mustafa po shpërndan libreza partiake. Këto zhvillime, më shumë sesa garë e rivalëve të moçëm, duket të jetë betejë e brendshme e dy liderëve kryesorë në vend.
Këto zhvillime ndodhin në kohën kur zgjedhjet lokale, sikurse edhe ato të përgjithshme, as që janë në agjendë. Versioni më optimist është se kosovarët do t’iu drejtohen kutive të votimit në vjeshtën e vitit të ardhshëm.
Në këtë kontekst, nxitimi i dy liderëve kryesorë në vend duket absurd.
Publicisti Baton Haxhiu e sheh këtë si fushatë e brendshme e PDK-së dhe e LDK-së.
Kjo nuk mohohet edhe nga udhëheqësit e grupeve parlamentare të dy partive, Adem Grabovcit të PDK-së dhe Ismet Beqirit të LDK-së. Megjithëkëtë, të dy lënë të kuptohet se, meqenëse vendi do t’i ketë dy apo tri palë zgjedhje vitin e ardhshëm, atëherë është normale që beteja për vota të nisë qysh tash.
“Aktivitete të tilla kemi pasur në vazhdimësi. Ne e kemi strukturën e organizuar të partisë dhe ajo është funksionale. Pra, në mënyrë obligative ne kontaktojmë elektoratin që të marrim mendimet dhe shqetësimet e tyre dhe nëpërmes tyre, t’i bartim ato në strukturat e nivelit qendror”, ka thënë Grabovci i PDK-së.
Duke komentuar takimet që po i zhvillojnë nëpër degët e LDK-sw, Ismet Beqiri, tha se gjithçka po bëhet në kuadër të programit reformues të Kryetarit Isa Mustafa.
“Sigurisht që gjithë këto punë që po bëhen në terren janë edhe parapërgatitje për zgjedhjet, si ato lokale, si ato të tjerat që na presin. Ne do të përgatitemi dhe do të jemi të gatshëm, LDK’ja ka kandidatë, ka emra, ka potenciale si për zgjedhjet parlamentare, ashtu edhe për ato presidenciale”, ka thënë Beqiri.