Shqyrtimi i Projektligjit për Qendrën Historike të Prizrenit, ka sjellë sërish në mbledhjen e Komisionit për Bujqësi, Pylltari dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor, kryeministrin Hashim Thaçi dhe shefin e ICO-së, Pieter Faith, për të kaluar ky projektligj, që është pjesë e pakos së presidentit Ahtisari.
Por, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu, në mënyrë demonstrative ka lëshuar mbledhjen e komisionit, pasi që ka vlerësuar se ky ligj është i ndikuar politikisht dhe bën instrumentalizimin e trashëgimisë në bazë nacionaliste, kurse shefi i ICO, Faith ka mohuar të ketë bërë presion me prezencën e tij në komision.
Sipas tij, komisioni ka gjetur tre ekspertë ndërkombëtarë për trashëgimi kulturore, por nuk është pranuar që të ballafaqohen ata me ekspertët e ICO-së, raporton Kosovapress.
Aliu ka thënë se Ligji për Prizrenin është i ndikuar politikisht dhe një ligj, i cili trashëgiminë kulturore e instrumentalizon në baza nacionaliste.
Ndërkohë i pyetur rreth presionit të kryeministrit Thaçi në mbledhje të komisionit, Aliu ka thënë se kryeministri shpesh ka ndërhyrë, duke ia ndërprerë fjalën.
Shefi i ICO-së, Pieter Faith ka mohuar të ketë bërë presion që të kalojë ky projektligj.
Për kryetarin e Kuvendit, Jakup Krasniqi, prania e Kryeministrit Hashim Thaçi dhe shefit të ICO-së, Piter Feith, në mbledhjen e komisionit ku po diskutohej rreth Ligjit për Qendrën Historike të Prizrenit, nuk paraqet ndonjë problem. "Është e drejtë e tyre për t`i sqaruar çështjet e ndryshme me deputetët", ka thënë kryeparlamentari.
Komisioni do të mblidhet sërish për të votuar amendamentet e këtij projektligji.