Nuk shkon askund pa kafe...

Shoferi belg i kamionit, Isaac Fremont, është siguruar që të mos ketë probleme me gjumin gjatë vozitjes – duke i montuar dy aparate kafeje në pultin e kabinës së automjetit të tij.

Mirëpo, plani i tij për të pasur gjithmonë kafen e dëshiruar dështoi kur u ndal në Schaffhausen të Zvicrës për një kontroll rutine, me ç’rast zyrtarët policorë i deklaruan dy aparatet e kafes si të paligjshëm.
“Dy aparatet e kafes dhe të gjitha gjërat që i kishte vendosur në xhamin e përparmë, e bënin thuajse të pamundshme për të pasur një shikim të duhur gjatë vozitjes. Ishte një pengesë serioze në fushën e tij të pamjes”, ka thënë një zyrtar policor.
Shoferi është detyruar që të çmontonte aparatet e kafes dhe të largonte të gjitha gjësendet tjera që i kishte përpara vetes, dhe pastaj është lejuar që ta vazhdonte vozitjen.
Po ashtu, ai është urdhëruar që të depozitonte një shumë parash, në rast se gjykata do të vendoste për dënim për shkak të thyerjes së rregullave të vozitjes nëpër rrugët zvicerane.