Zgjedhjet e Serbisë në Kosovë nuk duhet të mbahen, pasi vetëm Kosova është ajo që duhet të organizojë zgjedhje brenda territorit të saj, tha kongresisti Gary Peters, i cili është edhe anëtar i komitetit për çështjen shqiptarëve në Kongresin e SHBA-ve. Ai përkujtoi se "Shqipëria dhe Kosova nuk kanë miq më të mirë se Shtetet e Bashkuara".
"Kosova është shtet i pavarur, i mbron kufijtë e saj. Zgjedhjet duhet të organizohen nga institucionet e Kosovës dhe për njerëzit e Kosovës", ka thënë për RTV21 kongresisti amerikan.
Ndërkaq, duke komentuar marrëveshjet e Kosovës dhe Serbisë, Peters tha të ketë biseduar me sekretaren amerikane të Shtetit Hillary Clinton.
"Dua të theksoj se ajo (Hillary Clinton) është e përkushtuar që Kosova të jetë një shtet ku sundon ligji dhe një shtet që ecën drejt integrimit për në Bashkimin Evropian. Për të, kjo është edhe një çështje personale nisur nga kontributi dhe afërsia që ka pasur me shqiptarët bashkëshorti i saj, Bill Clinton. Pra përveç politikës për ta është edhe personale zhvillimi i Kosovës dhe ky është mesazhi që unë mund të jap edhe nga ana e popullit amerikan se SHBA të do të vazhdojnë të jenë të përkushtuara në Ballkan dhe sidomos në Kosovë e Shqipëri. Jemi shumë të interesuar të shohim këtë pjesë tek zhvillohet dhe ecë përpara”, tha kongresisti Peters.