Autostradat "bashkohen" deri në fund të majit

Në zonën neutrale të pikëkalimit kufitar Vërmicë-Morinë, ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota me drejtuesit e projektit të autostradës nga konzorciumi "Bechtel-Enka", të martën, kanë iniciuar solemnisht shkatërrimin e urës së vjetër dhe ndërtimin e strukturës së re, e cila do të lidh autostradat në të dyja anët e kufirit.

Edhe pse bëhet fjalë për zonën ndërmjet dy shteteve ky projekt do të realizohet në kuadër të projektit të autostradës Vërmicë-Merdarë dhe sipas vlerësimit të ministrit Mujota do të "lidh me një cilësi të re rrugën e kombit".
"Pas shkatërrimit të urës së vjetër do të nis ndërtimi i urës së re, që do të krijoj një qasje më të lehtë për qytetarët e Republikës së Kosovës dhe ata të Republikës së Shqipërisë, në këtë segment të 'Rrugës së Kombit'", ka thënë ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota, i cili për disa sekonda ka drejtuar makinën e rëndë, që shërben për shpimin e betonit dhe asfaltit.
Sipas tij, akti i shembjes së urës së ish-sistemit, paraqet një simbolikë të veçantë, që tregon se perspektiva e integrimeve të Kosovës dhe Shqipërisë është në rritje e sipër, pasi që për "qytetarët e të dyja vendeve, për popujt e të dyja vendeve do të ketë gjithnjë e më shumë lehtësira të komunikimit që qojnë drejt integrimit të natyrshëm përmes rrugës, e cila tashmë po e dëshmon se ka qenë projekt më i duhur dhe më i qëlluar i lidhjes infrastrukturore të një shteti, një kombi dhe të popujve tjerë në rajon", raporton Koha.
Zyrtari i lartë i Qeverisë së Kosovës ka theksuar se punimet brenda zonës neutrale pritet të përmbyllen në fund të muajit të ardhshëm, me synimin që të lehtësohet qarkullimi në muajt e verës.
Ndërsa drejtor i projektit të autostradës në kuadër të "Bechtel-Enka", Mike Mix, ka veçuar si interesante shembjen e urës së vjetër në prag të shënimit të dy vjetorit të fillimit të punimeve në autostradë. "Është një simbolikë që tregon lidhjen dhe kalimin nga e vjetra në të renë", ka thënë ai. Mix ka theksuar se konzorciumi është duke punuar ditë e natë dhe se do të punoj kështu edhe gjatë tërë verës me qëllim të shtrimit të sa më shumë kilometrave të autostradës.