Në kohën kur ka mbetur ende e paqartë se si do të organizohen zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të Serbisë më 6 maj, në territorin e Kosovës, Presidenca e Kosovës u shpreh në mbështetje të votimit mbi parimin e dyshtetësisë, por kundërshtoi idenë e organizimit të zgjedhjeve të një shteti tjetër brenda territorit të Republikës.
Deri tani Presidenca nuk ka marrë ndonjë kërkesë zyrtare nga misioni i OSBE-së për lehtësimin e pjesëmarrjes së qytetarëve me shtetësi të dyfishtë në votimet në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të Serbisë.
Arbër Vllahiu, këshilltar për media i presidentes, Atifete Jahjaga, i tha Radios Evropa e Lirë se institucionet e Republikës së Kosovës angazhohen për respektimin e normave, ligjeve dhe konventave ndërkombëtare, që garantojnë dyshtetësinë, por se nuk mund të lejojnë organizimin e zgjedhjeve të një shteti tjetër brenda territorit të Republikës së Kosovës.
“Do të ishte më e lehtë sikur Republika e Serbisë ta kishte njohur realitetin dhe shtetësinë e Republikës së Kosovës dhe të vendoste marrëdhënie diplomatike me Kosovën, që do të mundësonte edhe hapjen e ambasadës, e ku do të mund të kryhej procesi i votimeve për shtetasit me shtetësi të dyfishtë”, tha Vllahiu në një përgjigje dhënë përmes postës elektronike.
Ai ritheksoi kundërshtimin e deritashëm të autoriteteve ndaj mbajtjes së zgjedhjeve lokale serbe në territorin e Kosovës, duke thënë se ato shkelin sovranitetin e shtetit, sfidojnë fuqishëm integritetin territorial dhe provokojnë rritje të tensioneve ndëretnike në Kosovë.