Deri të premten në Kosovë do të zbarkojnë 700 trupa shtesë të batalionit rezervë të KFOR-it, tha komandanti i KFOR-it Erhard Drews, gjatë një vizite në Podujevë. Duke komentuar kritikat e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-së, Anders Fogh Rasmussen, në adresë të EULEX-it, Drews e ka vlerësuar të mirë bashkëpunimin e KFOR-it me EULEX-in
Ndërsa duke komentuar deklaratën e Sekretarit të përgjithshëm të NATO-s Anders Fogh Rasmussen se Misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë “EULEX nuk ka burime të mjaftueshme” dhe se aleancës ushtarake i është dashur të marrë barrën, Drews vetëm tha se ka bashkëpunim të mirë me EULEX-in.
“Me sa kam kuptuar unë Rasmussen nuk është ankuar për mungesën e koordinimit. Ai është ankuar më shumë për kapacitete e EULEXit dhe unë këtu duhet ta pranoj se sa më të fuqishëm e kam një partner aq më shumë jam i gëzueshëm. Dua të them se ne kemi bashkëpunim të mirë me EULEX-in dhe s’kemi asnjë ankesë” , tha Drews.
Duke folur rreth vizitave të zyrtarëve serbë, të cilët po shfrytëzojnë rrugët alternative në veri për të hyrë në Kosovë, Drews mohoi që KFOR-i nuk i mbyll ato rrugë.
“Rrugët në fjalë do të mbyllen nëse nga ana jonë konstatohet se ato rrugë po shfrytëzohen nga grupet serbe apo të politikanëve që vijnë në veri për ta tensionuar situatën atëherë ne ato rrugë do t’i mbyllim”, tha Drews.
Gjatë takimit me kryetarin e komunës së Podujevës Agim Veliu, komandanti i KFOR-it Erhard Drews tha se është gjendje e qetë dhe nën kontroll përgjatë brezit kufitar me Serbinë.
Në kontingjentin prej 700 trupash rezervë do të jenë ushtarët gjermanë dhe austriakë.