Serbia e kupton vetëm gjuhën e reciprocitetit!

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, ka kërkuar nga Qeveria të mos bëj marketing politikë, por të shqyrtojë seriozisht mundësinë e ndërhyrjes në pjesën veriore të Kosovës, për të vendosur rend dhe ligj. Ai ka thënë se duhet shqyrtuar edhe mundësia e ndërprerjes së bisedimeve, dhe t’i bëhet me dije bashkësisë ndërkombëtare se Serbia nuk pranon gjuhë tjetër, përveç reciprocitetit.

 “Mendoj se zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka deklaruar në afekt kur ka thënë se është e mundshme të ndërhyhet edhe me forcë ndaj shkelësve të ligjit në veri. Ne i mbajmë mend fjalët, por nuk besoj që ka qenë serioz, më shumë ka qenë marketing politikë”, ka thënë Haradinaj në emisionin Rubikon të KTV-së. Ai ka thënë se Qeveria nuk duhet të bëj eksperimente me veriun, por ta bindë bashkësinë ndërkombëtare dhe në bashkëpunim me EULEX-in të vë nën kontroll pjesën veriore të Kosovës.
Lidhur me arrestimin e dy policëve të Kosovës nga xhandarmeria serbe, nënkryetari i AAK-së, ka thënë se për këtë skandal, patjetër është dashur të jep dorëheqje dikush. “Për poshtërimin e dy policëve tanë është dashur të ketë dorëheqje dhe të paralajmërohet Serbia se një rast i tillë nuk do të tolerohet në të ardhmen. Po ashtu duhet bërë me dije bashkësisë ndërkombëtare se në rast se përsëritët diçka e tillë, është legjitime të arrestojmë edhe ne policë serbë, t’i shtrijmë për toke dhe t’i poshtërojmë. Sepse, kjo është gjuha e vetme që e njeh Serbia”.
Duke folur për bisedimet e Kosovës me Serbinë, Haradinaj ka thënë se shefja e delegacionit kosovar, Edita Tahiri, duhet t’ia bëjë me dije bashkësisë ndërkombëtare se dyfytyrësia e Serbisë nuk do të tolerohet. Ai ka thënë se nëse Serbia vazhdon të sillet me provokime, atëherë duhet ndërprerë bisedimet, sepse sipas tij, nuk mund të bisedohet me një vend që kërkon të bëj agresion në Kosovë.
Haradinaj në këtë intervistë i ka bërë thirrje edhe kryeministrit Hashim Thaçi që të distancohet publikisht ndaj ish strukturave të ish-Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK). “Një pjesë e mirë e SHIK-ut janë integruar në institucionet e Kosovës, dhe madje i mbajnë nën kontroll disa nga mekanizmat vital të Republikës. Ka struktura të SHIK-ut që kanë bërë krime dhe duhet të përgjigjen për ato veprime. Natyrisht se nuk duhet eliminuar nga shoqëria kosovare ata njerëz që në kuadër të SHIK-ut kanë kontribuuar për të mirën e Kosovës”, ka thënë ndër të tjera nënkryetari i AAK-së.