Pas “kompromisit” të Serbisë, presion ndaj Prishtinës

Bashkësia ndërkombëtare pret nga Qeveria e Kosovës që të pajtohet që Serbia t`i mbajë zgjedhjet parlamentare dhe ato presidenciale në lokalitetet me shumicë serbe.

Presionet ndaj Qeverisë së Kosovës, sipas burimeve të gazetës “Koha Ditore”, do të shtohen pas publikimit të vendimit të Qeverisë së Serbisë që të mos organizojë zgjedhje lokale, gjë që i është kërkuar Beogradit nga ndërkombëtarët.
Zëvendëskryeministri Hajredin Kuqi, ka konfirmuar për gazetën diskutimet me ndërkombëtarët, por ka thënë se Qeveria e Kosovës ka kushte për të lejuar një gjë të tillë. Sipas tij, organizimi i zgjedhjeve të tilla duhet të jetë sipas standardeve ndërkombëtare.
Këtë përgjigje zëvendëskryeministri, ka pasur kur është pyetur nëse do të pranohet ideja e diplomatëve ndërkombëtarë që zgjedhjet presidenciale dhe ato parlamentare të Serbisë në Kosovë t`i bëjë një organizatë ndërkombëtare në Kosovë, siç është OSBE-ja.
Burime të gazetës kanë thënë se plani ka ngecur, ngase ende nuk është vendosur mënyra se si do të angazhohej OSBE-ja, mbi bazën e cilës kërkesë, dhe për më shumë nuk është definuar as forma se si do të ndihmonte e si do ta organizonte votimin e qytetarëve serbë të Kosovës për deputetët e Kuvendit të Serbisë.
Si rezultat i kësaj, burimet kanë shpjeguar se plani për OSBE-në është lënë anash përkohësisht dhe po shqyrtohet mundësia e angazhimit të Këshillit të Evropës. Mirëpo koha e shkurtër deri në zgjedhjet e Serbisë, që pritet ë mbahen më 6 maj ka vështirësuar gjithçka, kanë bërë të ditur burimet e gazetës.