Komandanti i Forcës së Sigurisë të Kosovës, gjenerallejtënant Kadri Kastrati, së bashku me komandantin e Brigadës për Reagim të Shpejtë të FSK-së, gjeneralbrigade Nazmi Brahimaj, udhëtuan sot për një vizitë disaditëshe në Turqi.
Komandantit të FSK-së gjatë vizitës në Turqi do të përcjell nga afër trajnimin e Togut të FSK-së dhe do të marrë pjesë në ceremoninë e certifikimit të tyre, që do të bëhet më 26 prill 2012, thuhet në njoftimin e lëshuar nga shërbimi për informim i FSK-së.
Togu i FSK-së (33), që nga 22 marsi po merr pjesë në një trajnim në Brigadën e 28 të Korpusit të Tretë të Forcave të Armatosura të Ushtrisë së Turqisë dhe në Qendrën e Partneritetit për Paqe në Ankara.
Përgatitja e Togut të FSK-së nga Ushtria e Turqisë bëhet me qëllim të pjesëmarrjes së FSK-së në Operacione Mbështetëse të Paqes.
Ky trajnim u realizua në bazë të Marrëveshjes për Bashkëpunim në mes të FSK-së dhe të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Turqisë.
Gjatë qëndrimit në Turqi, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Kadri Kastrati do të ketë takime pune, me gjeneralë të lartë të Ushtrisë së Turqisë.