Zhvillimet e fundit në veri të Mitrovicë dhe në Maqedoni kanë qenë në fokus të takimit mes Zv.kryeministrit dhe njëherësh ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Edmond Haxhinasto dhe ambasadorit të Kosovës në Tiranë, Sylejman Selimi.
Të dy bashkëbiseduesit dënuan me forcë aktet kriminale të ndodhura së fundi, të cilat ndikojnë në rritjen artificiale të tensionit. Ata nënvizuan se zbulimi i shpejtë i autorëve të këtyre akteve kriminale dhe nxjerrja e tyre sa më shpejt para drejtësisë, do të ndikonte drejtpërdrejtë për qetësimin e situatës dhe kthimin saj në normalitet, transmeton "Oranews".
Njëkohësisht ata theksuan domosdoshmërinë e ruajtjes së qetësisë, maturisë dhe shmangies së provokimeve nga cilado anë që ato të vijnë, pasi duke vepruar kështu, ata do t`i bëjnë një shërbim të vyer të ardhmes së tyre, vendit ku jetojnë dhe tërë rajonit.
Në takim, gjithashtu u konstatua se të dy vendet po punojnë intensivisht për të krijuar një treg unik, duke hequr të gjitha barrierat ekzistuese në shkëmbimet mes dy vendeve dhe theksuan nevojën e thellimit të mëtejshëm të bashkëpunimit në të gjitha fushat, në funksion të agjendës së përbashkët evropiane.