Tahiri takoi Josipovicin, thellohet bashkëpunimi

Zëvendëskryeministrja për politikë të jashtme dhe siguri nacionale e Republikës së Kosovës, Edita Tahiri, e cila gjendet në Kroaci në një vizitë zyrtare, u takua të martën me presidentin kroat, Ivo Josipovic.

 Zëvendëskryeministrja Tahiri pasi e njohu presidentin Josipovic me progresin e përgjithshëm të shtetit të Kosovës, tha se Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar për jetësimin e vizionit euroatlantik të Kosovës, dhe po punon për ndërtimin e një shteti modern në interes të të gjithë qytetarëve, duke siguruar se Kosova është një partner serioz në planin ndërkombëtar dhe rajonal.
Nga ana e tij, Josipovic rikonfirmoi mbështetjen e fuqishme të shtetit kroat për pavarësinë, integritetin territorial dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës, si dhe premtoi mbështetje dhe këmbim përvojash në procesin e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian dhe në NATO.
Në këtë takim, presidenti Josipovic shprehu mirënjohje për kontributin e shqiptarëve për lirinë dhe pavarësinë e Kroacisë, ndërkaq zëvendëskryeministrja Tahiri vlerësoi se pakicat kroate dhe shqiptare kanë vlerë të veçantë në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.