Shqipëria mund të iniciojë debat në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për incidentet e fundit në veri të Kosovës. Por, të pakta janë gjasat që Tirana zyrtare të nisë procedurën për këtë çështje, siç kërkoi lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti.
Ish-ambasadori shqiptar në OKB, Agim Nesho, përmend tri arsye pse Shqipëria nuk do të ndërmarrë një nismë të tillë.
Nesho mendon se këtu ka një veprim që nuk është veprim i zgjuar, sepse për të futur në agjendën e Këshillit të Sigurimit do të riaktivizoheshin ato "rezoluta të cilat rregullojnë marrëdhëniet e Këshillit të Sigurimit me Kosovën", transmeton Klan Kosova.
Diplomati Nesho konsideron se kërkesa e Kurtit ka të bëjë me veprime politike të një partie opozitare, e cila kërkon ta kthejë aktin kriminal të vrasjes së Selver Haradinajt, në një kapital politik. Sipas tij, dëshira që të debatohet për veriun në Këshillin e Sigurimit është llogaritur gabimisht në VV. Nesho thotë se është habitur me këtë kërkesë të Kurtit, duke pasur parasysh qëndrimin e këtij subjekti politik që e kundërshton rreptë Rezolutën 1244.