Kërkon drejtësi për bijën e vrarë

Familjarët e së ndjerës Diana Kastratit, kanë dorëzuar një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese kundër Gjykatës Komunale në Prishtinë, Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Republikës së Kosovës, të cilët konsiderojnë se nuk kanë bërë asgjë në lidhje me vajzën e tyre tashmë të vrarë, e cila dyshohet se është privuar nga jeta tragjikisht nga duart e ish-bashkëshortit të saj.

Sipas familjarëve, disa ditë para vrasjes së saj, e ndjera kishte paraqitur në Gjykatën Komunale të Prishtinës një kërkesë për urdhër për mbrojtje emergjente. Mirëpo, Gjykata Komunale në Prishtinë nuk kishte trajtuar fare kërkesën e saj dhe vetëm disa ditë pas paraqitjes së kërkesës në fjalë e ndjera Diana Kastrati ishte privuar nga jeta në mënyrë më mizore, transmeton Kosovapress.
Gëzim Kastrati, babai i të ndjerës Diana Kastrati, me këtë rast është shprehur i mllefosur, me faktin se sistemi i drejtësisë në Kosovë nuk po funksionon dhe këtë mos funksionim sipas tij po e vuajnë qytetarët e Kosovës.
Mirëpo, Kastrati megjithatë shpreson që së paku Gjykata Kushtetuese të mos dështon siç kanë dështuar gjykatat komunale.