Kryetari i Partisë Demokratike të Serbisë, Vojislav Kostunica, ka mbajtur të martën një tubim zgjedhor në veri të Mitrovicës, ku ka thënë se në zgjedhjet e 6 majit, para qytetarëve të Serbisë janë dy rrugë, ndërsa ata duhet të ‘zgjedhin rrugën e politikës neutrale’.
Ai ka thënë se rruga se BE nuk ka alternativë është e gabueshme, ndërsa e drejta sipas tij është se ekziston diçka mbi BE-në, e kjo është Serbia. “Dy rrugë janë, e ashtuquajtura evropiane, që nënkupton se çdo ditë, kush të dojë, mund të kryejë presione, e nënçmime nga Brukseli. Ndërsa e dyta nënkupton qe Serbia të jetë e lirë, shtet sovran siç ka qenë gjithnjë në histori”, ka thënë Kostunica, raporton REL.
Ish-kryeministri serb ka thënë se “nuk ka Serbi pa Kosovën dhe se duhet bërë çdo gjë që serbët të ruajnë atë që u është lënë amanet nga të parët”.
Ndërkaq, zyrtari i kësaj partie për Mitrovicën, Marko Jakshiq, ka thënë se po që se vjen në pushtet partia e tij, atëherë do të prishen marrëveshjet e nënshkruara nga Borko Stefanovic, Goran Bogdanovic dhe Ivica Dacic, duke aluduar në marrëveshjet e arritura me Prishtinën në bisedimet në Bruksel.