Nesër seanca e jashtëzakonshme për veriun

Kuvendi i Kosovës nesër do të mbajë një seancë të jashtëzakonshme, e thirrur me kërkesën e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, gjatë së cilës do të diskutohet për zhvillimet në pjesën veriore të Kosovës.

“Në këtë javë kemi plotë seanca. Nesër do të jetë një seancë e thirrur e Grupit Partisë Demokratike me nënshkrimin e 46 deputetëve për seancë të jashtëzakonshme për zhvillimet në pjesën veriore të Kosovës. Të enjten dhe të premten kemi dy seanca njërën pas tjetrës, dy seanca të punës dhe kështu po e përmbyllim këtë javë me tri seanca”, ka theksuar kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, transmeton Kosovapress.
Në njoftimin e lëshuar nga zyra për Informim e Kuvendit thuhet se seanca e jashtëzakonshme thirret sipas kërkesës së nënshkruar nga 46 deputetë të Grupit Parlamentar i PDK-së dhe deputetë të tjerë nga radhët e koalicionit qeverisës. Ka mbetur që kërkesa për seancë të jashtëzakonshme të deponohet në Zyrën për parashtresa të Kuvendit, në mënyrë që ajo të quhet e ligjshme.