Në kuadër të fazës së promovimit të këngës “Suus”, Rona Nishliu është duke vazhduar me vizitat e saj nëpër vende të ndryshme.
Pas Podgoricës, përfaqësuesja e Shqipërisë në Eurosong ka udhëtuar drejt Bukureshtit (Rumani), me qëllim të pjesëmarrjes në emisionet televizive në kuadër të televizioneve Antena 1, TV Rumania si dhe TVR1.
Kjo javë nuk mbyllet vetëm me këtë vizitë, meqë Rona do të paraqitet edhe në koncertin tradicional “Eurovision in Concert”, i cili më 21 prill organizohet në Amsterdam të Holandës.
Triumfi në festivalin tradicional të këngës shqiptare i ka mundësuar këngës “Suus” rrugëtimin drejt Bakusë në Azerbajxhan, ku në garën e madhe të këngës evropiane, Rona do ta përfaqësojë Shqipërinë.
Në këtë festival prestigjioz Rona Nishliu do të paraqitet në gjysmëfinalen e parë, më 22 maj, ndërkaq, sipas shortit, ajo këndon e pesta me radhë.