PTK duhet të privatizohet brenda vitit

Privatizimi i Postë Telekomit të Kosovës (PTK), do të vazhdojë ku 75 për qind të aksioneve do ti ketë privatizuesi kurse 25 për qind do të jenë pronë e Qeverisë së Kosovës. Këshilltaret e rinj të cilët janë zgjedhur pas dështimit të tenderit të parë për të privatizuar këtë kompani kanë vlerësuar se edhe me këtë masë të aksioneve PTK do të jetë atraktive për tregun.

Në mbledhjen e Komisionit Qeveritar për Privatizimin e PTK-së, këshilltari i ri i transaksionit, LazardFereres S.A.S. dhe RaiffeisenInvestment ka prezantuar edhe planin kohor në të cilin saktësojnë se shitja e PTK-së, pritet të ndodhë brenda vitit 2012.
Kryesuesi dhe ministrat pjesëmarrës të KQP-së, shprehen qëndrimin e tyre për domosdonë e kryerjes me sukses dhe me kohë të këtij procesi të shumë rëndësishëm për vendin.
Reforma në fushën e telekomit, ku 75 për qind të aksioneve të Valës dhe Telekomit do të kalojnë në pronësi private, do të mundësojnë zhvillim të konkurrueshmërisë dhe ngritje të nivelit të kualitetit të shërbimeve në këtë sektor.
Reformimi i sektorit publik, me futjen e kapitalit privat në të, do të ketë efekt të drejtpërdrejtë pozitiv në zhvillimin ekonomik të vendit. “Këshilltari i transkaskonit, i përbërë nga përfaqësuesit e kompanive LazardFereres S.A.S. dhe RaiffeisenInvestment, shprehu bindjen se PTK si kompani është atraktive për investitorë shumë serioz dhe se tregu i telekomit në nivel global ka vazhduar të gjenerojë të hyra të mëdha, që do të thotë se operatorët e mëdhenj kanë kapacitet të mjaftueshëm për zgjerim të mëtutjeshëm”, thuhet në komunikatën e MZHE-së.
Në pajtueshmëri me standardet aktuale të shitjeve dhe blerjeve të kompanive të telekomit, roli këshilltari i transaksionit si partner kyç, në kryerjen e privatizimit të PTK-së do të jetë shumë i rëndësishëm në garantimin e suksesit të këtij procesi.
“Këshilltari i transaksionit do të përgatisë analizën detale të të gjitha aspekteve të funksionimit të PTK-së, do të bëjë analizën e tregut dhe investitorëve potencialë në PTK, do të përgatisë kornizën e privatizimit me rekomandime për strukturën e trasnaskionit, do të organizojë konferenca ndërkombëtare me investitorë në qendra evropiane dhe botërore, do ta bëjë vlerësimin e PTK-së për nevoja të Qeverisë, do të bëjë përgatitjen e dokumenteve të tenderit, do ta ndihmojë KQP-në në menaxhimin e tenderit për PTK-në dhe do të mbështetë negociatat për përmbyllje të kontratës”.
Në takimi e KQP-së, u analizua po ashtu progresi i bërë në lidhje me themelimin e ndërmarrjes së re publike Posta e Kosovës dhe gjithashtu u diskutuan hapat e ardhshëm në lidhje me privatizimin.
Ndryshe privatizimi i kompanisë më profitabile në vendi kishte dështuar një herë si pasoj e tërheqjes së kompanive nga gara siç patën thënë ato “për shkak të korrupsionit dhe dallavereve”.