Rreziqet në veri

Zhvillimet e fundit në veriun e Kosovës e kanë tensionuar skajshmërisht situatën në atë pjesë të vendit, vlerësojnë njohësit e rrethanave politike në Kosovë. Ata deklarojnë se nëse elitat politike nuk ndërmarrin hapa për ta qetësuar gjendjen, situata mund të acarohet edhe më tej, duke sjellë probleme dhe rreziqe të shumta.

Analisti i çështjeve politike nga Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave, Ardian Arifaj situatën në veri të Kosovës e përshkruan si mjaft shqetësuese.
Siç thotë ai, zvarritja e zgjidhjes së problemit të veriut të vendit, ka prodhuar shumë faktorë dhe protagonistë që pengojnë një zgjidhje të shpejtë dhe të qëndrueshme.
Situata e tanishme, sipas tij, mund të prodhojë rreziqe të shumta.
“Në mënyrë definitive, është një situatë e rrezikshme dhe jo vetëm për veriun e Kosovës, por për tërë Kosovën e pse jo edhe për tërë rajonin. Në fakt, tensionet që po nxitë Mitrovica, reflektohen në krejt Kosovën e më gjerë dhe na e përkujton shumë marsin e vitit 2004, kur trazirat në Mitrovicë, shumë lehtë, brenda ditës, u përhapën në tërë Kosovën. Këtë potencial, për një eskalim të tillë e mban edhe sot veriu i Kosovës, dhe sigurisht se ka potencial për të nxitur trazira të gjera në krejt Kosovën”, vlerëson Arifaj.
Politikani serb nga Leposaviqi, Dragisha Krstovic, thotë se zhvillimet në veri janë duke e provokuar thellimin e gjendjes, e cila sipas tij, edhe ashtu është mjaft e rënduar.
“Këtu ka gjithçka, duke filluar që nga sulmet e ndërsjella, të cilat janë të motivuara etnikisht e deri te sjelljet që mund ta provokojnë njërën ose palën tjetër, në kuptimin siç është për shembull, të themi, mbajtja e zgjedhjeve lokale në Zubin Potok dhe Zveçan. Ka edhe të tjera, si për shembull shfaqja e disa shqiptarëve të armatosur në barrikadën e cila është vendosur së fundmi. Këto janë gjëra që, nëse asgjë tjetër, të paktën mund të prodhojnë frikë ose veprime që mund të jenë shkaktar të trazirave të gjera”, shprehet Krstovic.
Të gjitha këto, sipas tij, mund ta çrregullojnë paqen e brishtë dhe të sjellin situata, të cilat sipas tij, askush nuk i dëshiron.
Ndryshe, zyrtarët e lartë të Qeverisë së Kosovës, ditë më parë kanë theksuar se nuk e përjashtojnë mundësinë që organet shtetërore të Kosovës të ndërhyjnë në veri të vendit, ndonëse ata gjithashtu e kanë potencuar se një përgjegjësi të plotë për veprim në atë pjesë e kanë edhe KFOR-i dhe EULEX-i.
Në anën tjetër, zyrtarë të Bashkimit Evropian i kanë kundërshtuar mundësitë e përdorimit të dhunës në veri të vendit nga ana e institucioneve kosovare. Qasjen e tillë, ata e kanë cilësuar si kundër-produktive dhe në shpërputhje me parimet evropiane, duke nënvizuar se zgjidhja e problemeve duhet gjetur përmes dialogut.
Por, Krstovic vlerëson se nëse situata në veri vazhdon të jetë e tensionuar ose përkeqësohet edhe më shumë, atëherë fillimi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili do të duhej të nisë pas zgjedhjeve serbe që mbahen më 6 maj, do të vihet në pikëpyetje.
Por, analisti Arifaj, nuk e sheh fare të arsyeshëm rifillimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në formën se si është zhvilluar deri më tash. Madje, dialogun e deritashëm ai e sheh si shkaktar të tensioneve.