Shkelzen Berisha, djali i kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, ka reaguar ndaj një shkrimi të botuar të hënën në një prej të përditshmeve kosovare, duke pohuar se nuk është takuar kurrë me biznesmenin serb, Vuk Hamovic dhe as me ndonjë ndihmës, apo përfaqësues te tij.
“Dje në gazetën tuaj në shkrimin me titull “Sali Berisha, me “mafinë” serbe, kundër Kosovës” në një nga paragrafët e tij pohohet se sipas burimeve (që nuk publikohen) të gazetës suaj, unë jam takuar me zotërinjtë Vuk Hamovic dhe Damir Fazlic në Vjenë të Austrisë me qëllim ndihmën për bizneset e tyre dhe pengim të projekteve energjetike që lidhin Kosovën dhe Shqipërinë”.
“Dëshiroj t’iu bëj me dije ju dhe mbarë opinionit të Kosovës që kjo është një shpifje e ulët, pasi unë nuk jam takuar kurrë dhe asnjëherë me z. Vuk Hamovic dhe as me ndonjë ndihmës, apo përfaqësues te tij, as në Vjenë e as në ndonjë vend tjetër të rruzullit, për asnjë lloj pune, apo biznesi, dhe madje nuk kam as njohje me të”.
“Takimi i supozuar mes meje, z. Hamovic dhe z, Fazlic është fund e krye një trillim i ulët i artikullshkruesit. Në përputhje me kodin e etikës, kërkoj botimin e plotë të këtij përgënjeshtrimi në të njëjtën hapësirë dhe germë si gënjeshtra e botuar dje, të shoqëruar me ndjesën përkatëse për shpifjen e bërë ndaj meje”, thuhet në reagimin e Berishës.
Një ditë më parë, Zëri, në një artikull shkruante se kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka më shumë se një vit që ka bllokuar projektin për ndërtimin e linjës 400 kilovoltëshe të interkonjeksionit, e cila lidh Kosovën me Shqipërinë. Sipas burimeve të kësaj gazete, biznesmeni serb, Vuk Hamovic, njëri nga njerëzit më të pasur në Ballkan, i cili operon në këtë biznes, në bashkëpunim me Damir Fazlic, janë takuar në Vjenë të Austrisë me djalin e kryeministrit, Shkelzen Berisha...