Siç e dinë të gjithë adhuruesit e hip-hopit, të dielën është mbajtur nata finale e festivalit Coachella, ku kanë perforomuar për 54 minuta reperët elitarë, duke përfshirë dhe një Tupac Shakur të ringjallur me teknologjinë e hologramit. Por, kush ishin vërtet ata që ndezën publikun?
Performanca të cilën evropianët nuk kanë arritur ta shikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë për shkak të kohës, është organizuar nga producenti i njohur dhe ikona e ‘West Coast’ për moment, Dr. Dre dhe reperi Snoop Dogg, të cilët ishin dhe nikoqirët.
Ata pos që arritën të sjellin një Tupac në hologram, në performancë të “Haily Mary” dhe “Two Of Americas Most Wanted”, arritën që në skenë të sjellin dy prej reperëve tjerë të kategorisë super të rëndë.
Pas performancës së Snoop Dogg që zgjati rreth 20 minuta e ku ishte i përfshirë edhe Wiz Khalifa me hitin “Young, Wild n’ Free”, ishte 50 Cent ai që në mënyrë sensacionale ngriti të pranishmit me hitin “What Up Gangsta”, për të vazhduar me “In Da Club” dhe “PIMP”.
Nga ana tjetër teksa të gjithë ishin të mallëngjyer nga Tupac i ringjallur, të pranishmit pësuan një tronditje tjetër. Eminem u ngjit në skenë pas një kohe të gjatë për të performuar ‘live’. “I Need a Doctor” ishte fillimi, teksa mbarimi ishte nderim për reperin e ndjerë Nate Dogg, kemi të bëjmë me këngën “Till I Collapse” të cilën më shumë e këndoi publiku se sa vet Eminem.
Koncerti 54 minutësh nga reperët e lartpërmendur në festivalin Coachella ashtu siç ishte paralajmëruar ashtu dhe u realizua – ai mund të konsiderohet pa dyshim një nga koncertet më të mira të muzikës hip-hop.