Epilogu i referendumit dihet që tani, sepse serbët e veriut në shumë raste, që nga viti 1999, u kanë thënë jo institucioneve të Kosovës, ka thënë i ashtuquajturi sekretar për Kosovën, Oliver Ivanovic.
Referendumi i serbëve të veriut është paralajmëruar të mbahet nesër e pasnesër në Mitrovicë, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq. Me këtë referendum, sipas liderëve serbë të veriut, synohet të qartësohet vullneti i serbëve për lejimin apo moslejimin e shtrirjes së autoritetit shtetëror të Kosovës në veri të vendit.
Ivanovic thotë se insistimi në mbajtjen e referendumit, në Qeverinë e Serbisë vlerësohet i motivuar mbi baza partiake dhe politike.
“Mbajtja e referendumit, që është në kundërshtim me interesat e Qeverisë së Serbisë, mund t’i sjellë serbët e veriut në një situatë tejet të rrezikshme. Kushdo që do ta formojë Qeverinë e re në Serbi, nuk do të harrojë sjelljet e kryetarëve të komunave veriore në Kosovë. Dhe, kam frikë se një gjë e tillë do të reflektojë një ndjenjë të keqe ndaj veriut”, ka thënë Ivanovic.
Ndërkohë, përfaqësuesi nga Mitrovica i Partisë Demokratike në Parlamentin serb, Dragisa Dokovic, u ka bërë thirrje të gjithë zyrtarëve të veriut që janë në Beograd, që të “vijnë në bazë gjatë mbajtjes së referendumit dhe që bashkëqytetarëve t’u thonë se çka është mirë për ta”.
Sipas tij, referendumi nuk është çështje partiake, por vendim personal i çdo individi nëse do të marrë pjesë në të ose jo.
“Është gabim kur partitë deklarohen për këtë çështje. Asnjë forum i Partisë Demokratike nuk ka folur në lidhje me referendum, as ka marrë vendime për këtë temë”, ka thënë ai. “Disa nga veriu i Kosovës e kundërshtojnë referendumin, duke menduar se kështu do të ndërtojnë karrierë në Beograd".