Shoqëria shumetnike nuk prodhon shtet të mirëfilltë

Politologu Arben Xhaferi thotë se serbët është mirë të marrin mësim nga dështimet në Rambuje, ndërsa duhet ta pranojnë se të drejtat që u sigurohen nga pakoja e Ahtisaarit, asnjëherë nuk i kanë pasur, madje as në regjimin e Slobodan Milosevicit.

Xhaferi, në një intervistë për “Tribuna Shqiptare”, vlerëson se Serbia është duke e dëmtuar sovranitetin e Kosovës në veri, ashtu siç e dëmton Rusia sovranitetin e Moldavisë në krahinën Trans-Dniester.
“Ky problem nuk mund të zgjidhet me mjete ushtarake, por vetëm me ato politike”, thotë ai.
Ai mendon se nga pranimi i dialogut me palën serbe, Kosova ka forcuar relacionet e mirëkuptimit me faktorin ndërkombëtar, e rezultat i këtyre raporteve është shpallja e pavarësisë.
Xhaferi thotë se teknika e veprimit politik serb është dyfytyrëshe.
“Serbia synon që të krijojë përshtypjen se ajo është e hapur për dialog. Merrte pjesë në konferenca ndërkombëtare. Kur konstatonte se nuk mund të imponojë qëndrimin e saj lidhur me Kosovën, e bojkotonte rregullisht pjesën përfundimtare të negociatave”, shton Xhaferi, duke theksuar se shembulli i Maqedonisë dëshmon se shoqëritë shumetnike nuk mund të prodhojnë shtete të mirëfillta.