Rifillojnë kërkimet në Restelicë

E plotësuar - Me vendim të Ministrit Agim Çeku dhe urdhër të Komandantit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Kadri Kastrati, Forca e Sigurisë së Kosovës ka vazhduar sot në mëngjes operacionin e kërkimit të personit të njëmbëdhjetë, të zhdukur nga orteku i borës në Restelicë të Komunës së Sharrit.

Nënkolonel Mehmet Lladrovci, Komandant i Batalionit të dytë të Brigadës për Reagim të Shpejtë, është caktuar komandanti i operacionit që do të udhëheq kërkimet në Restelicë deri në gjetjen e personit të fundit që konsiderohet i zhdukur në këtë fatkeqësi natyrore.
Në operacionin e sotëm në Restelicë janë të angazhuar 154 pjesëtarë dhe 21 automjete.
Kjo është dita e tretë e angazhimit të FSK-së në këtë operacion. /Telegrafi/

E plotësuar - Kanë vazhduar kërkimet nën rrënojat e shtëpive në fshatin Restelicë.
Përkundër motin e keq, FSK-ja ka bërë të ditur nisjen e aksionit për personin e fundit që supozohet se gjendet ende nën rrënojat e shtëpisë së shkatërruar nga orteku i borës, që përfshiu rreth 12 shtëpi të shtunën në mëngjes, raporton “Indeksonline”.
Nëntë anëtarë të familjes Reka janë nxjerr të vdekur, përderisa vetëm një vajzë pesë vjeçare ka mbijetuar. Ajo po merr trajtimin mjekësor në spitalin e Prizrenit.