Tarifat e reja të rrymës, shtrenjtojnë edhe produktet e tjera

Kërkesa e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), për shtrenjtimin energjisë elektrike në masën 23 për qind, është e kuptueshme vetëm në kuadër të kornizave bilancore të KEK-ut, mirëpo, miratimi i saj do të paraqet ngarkesë të madhe për konsumatorët dhe njëkohësisht mund të jetë gjenerator i inflacionit, i cili edhe ashtu është në rritje. Kështu thuhet në komunikatën për media të Qendrës për Hulumtime dhe Sociale STRAS.

Norma e rritjes të cilën e kërkon KEK-u nuk buron nga ambienti ekonomik, e as nga trendet inflatore në vend. Ajo vjen pas trysnisë së shpenzimeve operative që sivjet duhet t’i bëjë KEK-u. Ato janë në përputhje me të hyrat prej 239 milionë euro, apo 23 për qind më të larta, përkatësisht 45 milionë euro.
Duke pasur parasysh edhe rregullat e reja për llogaritjen e tarifave, për shtrenjtimin e energjisë elektrike ndikim më të madh ka kostoja e importit të energjisë në një shumë prej 44 milionë eurosh. Paratë duhet të sigurohen nga të hyrat e KEK-ut, së paku 21 milionë euro, dhe si subvencion nga Qeveria e Kosovës, i cili është 50 për qind më i ulët se në vitin 2010, vlerëson Organizata Joqeveritare STRAS.
Sipas saj, prapa kësaj kërkese qëndron insistimi i kësaj korporate që me çmime të rritura të mbuloj performancën e dobët. Sa do që nuk mund të mohohen të arriturat e shënuara viteve të fundit, kur humbjet u zvogëluan 11 për qind, megjithatë këtu ende qëndrojnë potenciale të mëdha financiare.
“Kjo është e qartë kur përmendet se kërkesat e KEK-ut nga konsumatorët sillen rreth 400 milionë euro, kurse 40 për qind e energjisë humbet. Për zvogëlimin humbjeve teknike, të cilat aktualisht janë 16,6 për qind, duhen investime, mirëpo është krejtësisht reale të kërkohet zvogëlimi i humbjeve komerciale”, thekson STRAS në komunikatë.
Sipas tyre, sikur KEK-u të arrinte që të arkëtonte 10 për qind të shumës së borxhit, atëherë ai siguron gati të gjitha paratë e kërkuara përmes rritjes së tarifave.
Qendra për Hulumtime Strategjike dhe Sociale STRAS, mendon se momenti social në të cilin gjendet Kosova nuk arsyeton në asnjë mënyrë shtrenjtimin e energjisë elektrike 23 për qind. Për më keq, një rritje e këtillë do të ishte nxiste një cikël të ri të shtrenjtimit të prodhimeve dhe shërbimeve vendore.
“Duke u bazuar në të gjitha faktet e përmendura kërkojmë: Që Zyra e Rregullatorit të Energjisë gjatë shqyrtimit të kërkesës së KEK-ut të analizoj deri në detaje momentin social në të cilin është vendi, Të insistoj që nevojat të KEK-ut për para shtesë të mbulohen nga rritja e arkëtimit të borxheve të vjetra dhe zvogëlimit të humbjeve, Që Qeveria e Kosovës të kërkoj mobilizim të të gjitha institucioneve që mund të ndihmojnë KEK-un për arkëtimin e borxheve.
Po ashtu Qeveria e Kosovës të kërkoj nga KEK-u dhe nga ZRRE-ja që për muajt me temperature polare të ngrit limitin e sasisë së energjisë së lejuar për konsum për familjet në asistencë sociale, së paku 50 për qind”, thuhet në komunikatën e STRAS-it.