Serbia ka ngecur në obligimet implementuese

Zëvendëskryeministrja për politikë të jashtme dhe siguri nacionale, Edita Tahiri, ka qëndruar në NATO, me ç’rast wshtw takuar me ambasadorët e vendeve anëtare të Aleancës Veriatlantike dhe të disa vendeve partnere të Aleancës.

Tahiri në fjalën e saj tha se NATO ka luajtur rol kyç në çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, dhe në periudhën e pasluftës NATO dhe KFOR kanë dhënë dhe po japin kontribut qenësor për paqen dhe sigurinë në Kosovë. Po ashtu ajo vlerësoi lartë angazhimin e NATO-s në përgatitjen e arkitekturës së sigurisë nacionale të Republikës së Kosovës duke ndihmuar drejtpërdrejt në zhvillimin e Forcës së Sigurisë, forcë kjo e cila është duke ecur drejt e në hapa të sigurt si forcë kompatibile me standardet e NATO-s dhe shumë shpejtë do të jetë ushtri e cila do t' i kontribuojë paqes në rajon dhe më gjerë.
Më pas, ajo foli për vizionin euro-atlantik të Kosovës dhe përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të zhvilluar reformat strukturore mbi parime euro-atlantike në interes të të gjithë qytetarëve dhe komuniteteve që jetojnë në vendin tonë. Ajo ndër tjerash theksoi se gjatë katër viteve të pavarësisë kemi konsoliduar institucionet demokratike të shtetit tonë të ri dhe kemi forcuar pozicionin ndërkombëtar të Kosovës, i cili tashmë është njohur nga pjesa më e fuqishme e botës, me 88 njohje në mesin e të cilëve janë SHBA-të, vendet kryesore të BE-së e më gjerë. Tahiri në veçanti elaboroi hollësisht vizionin për zhvillimin e shtetit të Kosovës duke thënë se vizioni jonë për shtetin ka për bazë parimet themelore të demokracisë, sundimit të ligjit dhe të ekonomisë së tregut dhe jemi të vendosur që ta bëjmë Kosovën një shtet të suksesshëm, i cili do të mirëpritet në familjen e NATO-së, të BE-së dhe OKB-së si një shtet i respektuar dhe i përgjegjshëm për obligimet ndërkombëtare. Në këtë kontekst, ajo bëri thirrje që të vazhdojnë ta përkrahin Kosovën si dhe të angazhohen për rritjen e numrit të njohjeve.
Marrëveshjet e arritura në Bruksel, Tahiri i vlerësoi si një përparim të rëndësishëm në dialog, por konstatoi se suksesi i vërtetë i dialogut qëndron në zbatimin e plotë të marrëveshjeve për të shtuar se Kosova ka qenë palë konstruktive dhe me përgjegjësi ka kryer të gjitha obligimet e dialogut, mirëpo Serbia ka ngecur në obligimet implementuese andaj duhet të që të jetë më serioze në implementimin e obligimeve të marra nga procesi i dialogut teknik që është zhvilluar në Bruksel.
Kosova dhe Qeveria e saj po kontribuojnë për stabilitetin e rajonit dhe fqinjësisë së mirë, por natyrisht që kërkohet seriozitet më i madh edhe nga pala tjetër për zbatimin e marrëveshjeve, tërheqjen nga ndërhyrjet ilegale në Kosovë dhe heqjes së barrikadave dhe zhbërjen e strukturave ilegale në veri të vendit- ka thënë Tahiri, duke shtuar se ajo pjesë e serbëve në pjesën veriore të Kosovës duhet të dalin nga iluzionet dhe të pranojnë që ta kuptojnë rëndësinë e zbatimit të pakos së Ahtisaarit, sepse është në dobi të tyre dhe e cila është përtej gjitha standardeve ndërkombëtare për të drejtat e pakicave.
Ambasadorët e përhershëm të vendeve anëtare të NATO-s e kanë vlerësuar rezultatet e konsiderueshme në konsolidimin e shtetit të Kosovës, forcimin e institucioneve demokratike, reformat e përgjithshme evropiane si dhe progresin e shënuar edhe në ndërtimin e Forcës së Sigurisë konform standardeve të NATO-së. Ata rikonfirmuan përkrahjen e plotë të vendeve të tyre për sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës si dhe premtuan mbështetje për ardhmërinë euro-atlantike të Kosovës.