Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri nuk është shfaqur as të shtunën para mediave në Kosovë, një ditë pasi i dha amin formulimit të një fusnote që do ta shoqërojë denominimin e shtetit, e ku referencë do jetë Rezoluta 1244 e OKB-së dhe Mendimi i GJND-së. Nga denominimi kushtetues ka hequr fjalën Republikë, e në fusnotë si referencë e veçantë ka pranuar të mos jetë Deklarata e Pavarësisë.
“Koha Ditore” disa herë ka provuar të shtunën të kontaktojë me të nëpërmjet telefonit, por Tahiri nuk u është përgjigjur thirrjeve. Ndërkaq, as vendndodhja e saj nuk dihet.
Visar Xani, zëdhënës i kësaj zëvendëskryeministreje që përfaqëson ekipin kosovar në dialogun me Serbinë, ka refuzuar të tregonte se ku gjendej shefja e tij. Ka thënë të jetë jashtë vendit dhe që nuk mund të japë një prononcim deri të hënën.
E sikur Tahiri, telefonatave të gazetës nuk u janë përgjigjur as anëtarët e tjerë të delegacionit që kanë pranuar formulimin e fusnotës – Lirim Grajçevci, këshilltar politik i kryeministrit Hashim Thaçi, dhe Dren Zeka, këshilltar i zëvendëskryeministres Tahiri.