Ligjërues edhe me 80 vjet!

Ka urinuar në pantallona para studentëve. Kjo iu ka ndodhur jo pak profesorëve në dy universitetet publike në vend.

Në Universitetin Publik të Prizrenit, profesori i Edukimit, i indinjuar se studentët qeshën me të se iu lagën pantallonat, iu drejtua organeve kompetente të Universitetit në atë kohë me rektor gjermanin Roland Monch, i cili paralajmëroi edhe një konkurs për pranim të stafit të ri akademik, por që e përshëndeti me Kosovën, raporton “Zëri”.
Edhe në Universitetin e Prishtinës (UP) profesorët e Fakultetit të Bujqësisë përmenden nga kolegë të tyre, se pleqëria kishte ndikuar që të mos mund të kontrollonin urinimin në pantallona para studentëve.
Përderisa mosha e pleqërisë ka bërë të veten, profesorët ndonëse 79 e 82-vjeçar “nuk janë dorëzuar”. Ata vazhdojnë të jenë pjesë e universiteteve në numër jo të vogël edhe mbi 70 vjet mbi supe. Ndërsa, kuadrot e reja stopohen që të jenë pjesë e stafit akademik të këtyre Universiteteve, dhe këtë e bëjnë profesorët duke ua vonuar me vite temat e masterit.
Kjo është ndihmuar edhe me ligj. Me një vendim të Këshillit Drejtues të UP-së, stafit akademik me arsyetimin e mungesës së kuadrove i është lejuar të mbajë mësim të angazhuar deri në moshën 70-vjeçare. Edhe dekanatet kanë kërkuar që stafi i vjetër të mbetet në fakultet.