Pavarësia e Kosovës është e siguruar

Marrëveshja për përfaqësimin rajonal nuk e dëmton sovranitetin e Kosovës. Rezoluta 1244 do të hyjë në histori si një lëmsh i pakuptimtë ligjor. Shtetet nuk do ta bazojnë njohjen e pavarësisë në këtë marrëveshje, por në interesat e tyre, ka thënë ish negociatori i SHBA-ve në bisedimet për statusin e Kosovës, Frank Wisner.

“Marrëveshja bën të mundur që Kosova të jetë e pranishme dhe të marrë pjesë në diskutimet që kanë të bëjnë me të ardhmen e Ballkanit dhe Evropës si dhe do të ndihmojë në definimin e rolit të Kosovës në këto rajone”, thotë Wisner në një intervistë për “Express”.
Sipas tij, pas 24 shkurtit Kosova ka ecur drejt një niveli shumë më të lartë të bashkëpunimit me BE-në, në mënyrë që të avancohet prospekti i Kosovës që një ditë të jetë pjesë e BE-së.
“Kur BE-ja është ulur me Kosovën për të bërë marrëveshjen, Kosova është treguar si qytetare e mirë në familjen e BE-së. Pra, kjo i përmirëson gjasat e Kosovës në procesin që një ditë do të çojë drejt anëtarësimit të Kosovës në familjen evropiane. Ky është lajmi i madh”.
Shtetësia e Kosovës është legjitimuar dhe nuk ka nevojë askush që ta vërë këtë në pikëpyetje, mendon Wisner.
“Kosova e ka deklaruar pavarësinë, Gjykata Ndërkombëtare ka thënë se kjo deklaratë është në pajtim të plotë me ligjin ndërkombëtar. Kosova ka hapur ambasada, ajo ka marrë mbi 80 njohje, më shumë do të vijnë me kohë. Çështja e pavarësisë është siguruar. Kjo nuk është më çështje. Çështje është se ku shkoni me këtë pavarësi, si t’i arrini ambiciet tuaja nacionale, si të forconi ekonominë, si t’i jepni shpresë popullatës tuaj të re. Kjo është për ku jeni drejtuar, drejt një asociimi më të ngushtë me Evropën”, thotë Wisner, duke shtuar se Serbia do t’i implementojë marrëveshjet, në të kundërtën do t’ia bllokoj vetes rrugën evropiane.