Qeveria e Kosovës pretendon ta anëtarësojë vendin në 36 organizata dhe mekanizma rajonalë me formulën e re të përfaqësimit, e cila, pos emrit të shtetit, përmban edhe Rezolutën 1244 dhe Opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Listën e mekanizmave për anëtarësim e ka përgatitur Ministria e Punëve të Jashtme dhe nga java e ardhshme autoritetet përgjegjëse vendëse planifikojnë t’i nisin procedurat për aplikim në to.
Në atë listë, një kopje të së cilës e ka siguruar “Koha Ditore”, pjesën më të madhe e zënë forumet, nismat dhe konferencat rajonale. Aty figurojnë edhe organizata në të cilat Kosova ka marrë pjesë në të kaluarën si UNMIK, por ka edhe aso në të cilat ka qenë anëtare që nga viti 2004, siç është Procesi Lubjanës për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Në listë janë përfshirë edhe dy mekanizma, ndonëse nuk është sqaruar se për cilat shkaqe nuk janë bërë të ditur emrat e tyre.
Ministri i jashtëm, Enver Hoxhaj, ka deklaruar se synimi i Qeverisë është që procesin e anëtarësimit të mos e kornizojë vetëm në kontekst rajonal, por të zgjerohet edhe në nivel evropian dhe ndërkombëtar. Por, ai nuk ka pranuar t’i bëjë publike organizatat nivelit më të lartë, me arsyetimin se kjo gjë mund të prodhojë efekte negative.