Kosova, realitet që (s’)po pranohet nga Maqedonia

Që nga pavarësia e Kosovës e deri më tani, marrëdhëniet mes Shkupit dhe Prishtinës janë forcuar në disa segmente. Këto dy vende kanë pasur mjaft sfida për lidhjen e marrëveshjeve të ndryshme.

Ambasadori i Kosovës në Maqedoni, Skënder Durmishi, thotë se raportet mes vendit të tij dhe Maqedonisë janë të mira dhe kjo ka rezultuar me rreth 20 marrëveshje ndërshtetërore.
Nga ana tjetër, analistët politik janë të mendimit se marrëdhëniet e mira mes Maqedonisë dhe Kosovës janë rezultat i presioneve ndërkombëtare.
Sipas tyre, Qeveria e Maqedonisë me hapa të ngadalshëm është duke e pranuar realitetin e ri, fqinjin e saj të pestë Republikën e Kosovës.
Ismet Ramadani thotë se takimet biletarale me përfaqësuesit e Kosovës, Maqedonia i bën sa për sy e faqe, “për t’i treguar faktorit ndërkombëtar se janë të interesuar për bashkëpunim rajonal”.
“Çdo herë kur në Kosovë ka rebelim të serbëve, politika zyrtare maqedonase është indiferente. Me një fjalë Maqedonia më shumë koketon me politikën serbe dhe me Serbinë”, deklaron ai “Zhurnal plus”.
Sipas tij, ka ndryshuar forma e ndikimit të Beogradit për dallim nga koha e ish Jugosllavisë.
“Tani Beogradi ndikimin ndaj Shkupit e bën përmes formave më të sofistikuara. Deri më tani kemi parë se Maqedonia shumë më shpejtë dhe pa kurrfarë problemi lidh një marrëveshje me Serbinë, siç është rasti me bashkëpunimin policor dhe kalimi i kufirit vetëm me letërnjoftime se sa me Kosovën, me të cilën edhe kur lidhet ndonjë marrëveshje e njëjta zvarritet dhe stërzgjatet”, thekson Ramadani.
Profesori Stevo Pendarovski është i mendimit se Qeveria e Maqedonisë ndaj Kosovës ka një qasje të gabuar, për shkak se realitetin e Kosovës shumë ngadalë po e pranon. Ai thotë se Maqedonia duhet të forcojë edhe më tepër lidhjet ekonomike me Kosovën, por edhe ato në plan bilateral.
Ai thotë se se Maqedonia sillet me Kosovën sikur ajo të jetë një shtet larg Maqedonisë e jo si një vend fqinj.
“Është praktikë e keqe që në Kosovë të shkojnë vetëm ministrat shqiptarë të partisë shqiptare në pushtet, e kjo nuk është e mirë për besimin e ndërsjellë. Kur ministrja e Punëve të Brendshme Gordana Jankulovska mund të përqafojë kolegun e saj serb Ivica Dacic, pse të mos përqafojë edhe kolegun e saj në Kosovë apo Shqipëri. Pra, duhet që edhe ministrat maqedonas të shkojnë në Kosovë e jo vetëm ata shqiptarë”, vlerëson Pendarovski.