Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj dhe ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku, kanë udhëtuar në Bruksel, ku pritet të kenë takime të shumta me përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe përfaqësues të shteteve anëtare të BE-së.
Dy ministrat do të kenë takime me dhjetëra ministra të punëve të jashtme të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian. Në të gjitha këto takime ata do informojnë zyrtarët për reformat që ka bërë Republika e Kosovës në shtetndërtimin e brendshëm dhe të jashtëm, si dhe në përmbushjen e standardeve të nevojshme për integrime evropiane.
Ata do të kërkojnë mbështetjen e Brukselit për procesin e integrimeve evropiane të Kosovës. Hoxhaj e Çitaku do të kërkojnë fillimin e procesit për të nënshkruar marrëdhëniet tregtare, në formë të marrëdhënieve kontraktuale mes Kosovës dhe BE-së.
Po ashtu, do të kërkohet nga Brukseli që sa më parë të fillojë studimi i fizibilitetit për Republikën e Kosovës, si parakusht për nënshkrimin e Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asocim, si korniza e vetme për integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian.
Gjatë kësaj vizite, dy ministrat kosovarë, po ashtu, do të kenë takime me përfaqësues të institucioneve evropiane, si dhe përfaqësues të jetës politike dhe publike në Bruksel.