Prokurorët pa mbrojtje

Disa nga prokurorët që kanë në duar raste të rënda, kanë afër vetes edhe policë të Njësisë së Mbrojtjes së Afërt. Reshat Millaku është njëri prej tyre. Të tillë kishte edhe Nazmi Mustafi. Tash së fundi, truprojat i shkojnë prapa edhe Mauricio Salustros. Por, shumica e prokurorëve mbesin pa mbrojtje. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi thotë se Qeveria është e gatshme t’i ofrojë mbrojtje secilit që mendon se ka nevojë.

Reshat Millaku, prokuror në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, ka më shumë se tri vjet që nuk udhëton vetëm. Prapa gjithnjë i ka dy pjesëtarë të Njësisë për Mbrojtje të Afërt të Policisë së Kosovës.
Dy policë i shkojnë prapa gjithnjë. Madje edhe kur ka vizita private, e edhe në ditët e fundjavës.
Edhe kur shkon për të vizituar ndonjë të afërt apo edhe kur shkon në fshatin e tij, Ujmir të Klinës, ata gjithmonë i shkojnë prapa. Madje Millakut i gjenden pranë edhe nëpër seanca gjyqësore. Së paku njëri polic i kësaj njësie i qëndron gjithnjë afër këtij prokurorit, shkruan Express.
Kjo siguri fizike, Millakut i është ofruar prej se ka qenë prokuror në rastin e vrasjes së policit Triumf Riza. Siguri njëzet e katër orë, prokurorit Millaku i është ofruar edhe në shtëpi, por një gjë të tillë thotë të mos e ketë pranuar.
“Në shtëpi nuk kam pranuar, për shkak të familjes, por nëse dua të shkoj diku, i thërras dhe ata vijnë më marrin dhe më çojnë në vendin e caktuar“, thotë prokurori Millaku.