Me urdhër të Sylës, Selmani e Muja uzurpojnë pronën e "Auto Prishtinës"

Në një sipërfaqe prej një hektari e 78 ari të ndërmarrjes "Auto Prishtina", që ndodhet në zonën më strategjike të Prishtinës, sot gjendet një hotel dhe një restorant luksoz.

Hoteli Victory është pronë e biznesmenit dhe ish-deputetit të PDK-së, Bedri Selmani, ndërsa restoranti "Te rrethi" është në pronësi të deputetit aktual të PDK-së, Shaip Muja, që menaxhohet nga vëllezërit e tij. Që të dy këto objekte gjenden në pronën e ndërmarrjes "Auto Prishtina".
Siç shkruan Bota sot, uzurpimit të këtyre pronave nga Bedri Selmani dhe Shaip Muja i ka paraprirë një vendim i lëshuar dhe i nënshkruar nga "Ministri i Mbrojtjes së Qeverisë së Përkohshme", Azem Syla.
Gazeta boton edhe faksimilen e vendimit të protokolluar e që mban datën e 22 korrikut të vitit 1999, që pronën e "Auto Prishtinës"... e kalon “në administrim të Ministrisë së Mbrojtjes së Qeverisë së Përkohshme".