Kroacia mbështet konsolidimin dhe zhvillimin e më tejmë të Forcës së Sigurisë së Kosovës deri në anëtarësimin e saj në NATO. Kështu tha Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Kroacisë, gjenerallejtënant Drago Lovric, pas takimit që pati në Prishtinë me komandantin e FSK-së gjenerallejtënant Kadri Kastarti dhe me ministrin e FSK-së Agim Çeku.
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Kroacisë, gjenerallejtënant Drago Lovric, gjatë takimit me ministrin Agim Çeku dhe me komandantin e FSK-së gjenerallejtënant Kadri Kastarti, u ka premtuar atyre mbështetje të vazhdueshme për integrimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në strukturat veriatlantike.
“Forcat e Armatosura të Republikës së Kroacisë mbështesin paqen në rajon. Në kemi shikuar mundësinë e bashkëpunimit mes të dyja forcave, asaj të Kroacisë dhe Kosovës, duke i shkolluar pjesëtarët e rinj të FSK-së në bazë të programeve që kaun Forcat e Armatosura të Kroacisë. Meqë Kroacia është anëtare e NATO-s ne interesohemi që edhe FSK-ja sa më shpejtë të anëtarësohet në NATO”, tha Drago Lovric, transmeton RTK.
Ndërsa, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Kadri Kastrati, tha se Forca e Sigurisë së Kosovës është duke vazhduar sigurt rreth anëtarësimit në NATO.
Në vazhdën e bashkëpunimit mes të dyja shteteve, gjenerallejtënant Kadri Kastrati tha se ka kërkuar që Kroacia ta mbështes FSK-në edhe me shkollim dhe nxjerrjen e kuadrove sa më profesionale.