Studenti britanik Matt Wilks është goditur dy herë nga rrufeja dhe ka arritur të mbijetojë.
Besohet se 19-vjeçarin e ka shpëtuar “kapela ombrellë”, të cilën e kishte vënë në kokë para se të dilte jashtë – raporton Daily Mail.
Ai e kishte blerë kapelën tri funte përmes faqes së internetit eBay dhe kishte dashur t’ia tregojë nënës së tij kur e ka goditur rrufeja.
“Dola jashtë në oborr që t’ia tregoja nënës kapelën, e cila sapo më kishte ardhur me postë, kur ndodhi. U ndjeva çuditshëm, sikur dikush të më godiste fortë në kokë”, ka treguar i riu.
Ai ka theksuar se për një kohë kishte ndier marramendje, mundim në bark dhe rrahje të shpejta të zemrës.
Babai i Matt ka deklaruar se djali i tij është shumë me fat, pasi që rrufeja e kishte goditur edhe një shtëpi të fqinjit, të cilës ia ka shkatërruar kulmin.