Kuçi: Kujdes kur të udhëtoni nëpër Serbi!

Zgjedhjet e serbe që pritet të mbahen në muajin maj në Serbi, mund të ndikojnë edhe tek qytetarët shqiptarë të Republikës së Kosovës, të cilët kalojnë nëpër këtë shtet. Fushata elektorale që po zhvillohet atje, mund të pasojë edhe me arrestime të shtetasve të Kosovës, për asgjë tjetër, por për përfitime politike

Zyrtarët qeveritarë kanë thënë se nuk mund t’i bëjnë thirrje të drejtpërdrejtë qytetarëve të Kosovës, qofshin ata mërgimtarë, apo qytetarë, që kalojnë transit nëpër Serbi, që të mos kalojnë nëpër këtë shtet, por kanë bërë thirrje që mundësisht t’i shfrytëzojnë rrugët e tjera, pasi që mund të jenë viktima të ndonjë arrestimi pa ndonjë argument, apo fakte ligjore, transmeton Kosovapress.
Ata po ashtu kanë thënë se Serbia me krijimin e pengesave të tilla po mundohet që të krijojë panik te qytetarët, në mënyrë që ata të mos ia mësyjnë Serbisë, ndërsa në anën tjetër Serbia mund të thotë se po e zbaton marrëveshjen për qarkullim të lirë.
Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Hajredin Kuçi, ka thënë se njerëzit që mendojnë se mund të jenë pjesë e arrestimeve dhe lojërave politike serbe, duhet të jenë të kujdesshëm nëse udhëtojnë nëpër në Serbi.
Lidhur me mos zbatimin e marrëveshjen e arritur në Bruksel, Kuçi ka thënë se “Serbia nuk është se nuk po e zbaton marrëveshjen, por po krijon probleme jashtë marrëveshjes, si me pritje të gjata në kufij, me arrestime dhe kjo, sipas tij, po bëhet me qëllimin që të krijohet panik te qytetarët e Kosovës, në mënyrë që ata të ndalen vetë”.
Ndërsa Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Bajram Rexhepi, ka thënë se si pjesëtar i Qeverisë së Kosovës nuk mund të kërkojnë një gjë të tillë prej qytetarëve që ata të mos qarkullojnë fare nëpër Serbi, por u ka bërë thirrje që të kenë shumë kujdes, kur kihet parasysh fushata e egër elektorale që po zhvillohet këto ditë në Serbi.
Rexhepi ka thënë se qytetarët që nuk kanë ndonjë nevojë të domosdoshme për të shkuar në Serbi, ose për të qarkulluar transit nëpër këtë shtet, të kenë kujdes, të paktën derisa të përfundojë kjo fushatë.