Familjarët e Mark Koshnjetit, i cili është arrestuar të shtunën nga policia serbe, dhe aktivistët për të drejtat e njeriut në Prizren kanë apeluar te institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare që të bëjnë presion në Beogradin zyrtar për lirimin e tij, meqë konsiderojnë se ai po mbahet në paraburgim në mënyrë të padrejtë nga autoritetet e Serbisë. Ata kanë përsëritur qëndrimet se Mark Koshnjeti asnjëherë nuk ka qenë pjesë e formacioneve të UÇK-së dhe se gabimisht është arrestuar edhe një herë, porse është liruar shumë shpejt.
"Do të isha shumë krenare që ai të ishte në luftë e të kishte qenë pjesë e UÇK-së, e ndoshta sot nuk do të brengosesha pse është burgosur. Për këtë edhe më vjen inati, se u arrestua për atë që kurrë nuk ka qenë", ka thënë Valentina Koshnjeti-Koni, vajza e madhe e Markut, transmeton portali Koha.net.
Ajo ka sqaruar se Marku "është arrestuar edhe një herë gabimisht nga ndërkombëtarët", porse është liruar menjëherë pasi është verifikuar se bëhet fjalë për personin e gabuar.
Sipas njoftimeve të medieve serbe, Mark Kashnjetit, të arrestuar të shtunën nga policia e Serbisë, në Merdar, derisa po udhëtonte me autobus për në Beograd, pas marrjes së pyetje i është caktuar masa e paraburgimit prej 48 orësh, ndërkohë që pritet që rreth paraburgimit të vendoset të hënën nga gjykatësi i dhomës për krime të luftës në Gjykatën e Lartë në Beograd.
Mirëpo këto pretendime janë hedhur poshtë edhe nga Bashkim Kajdomçaj i Zyrës Rajonale të KMDLNJ-së në Prizren, i cili ka theksuar se kjo organizatë ka informata të besueshme se Kashnjeti nuk ka qenë pjesë e UÇK-së asnjëherë dhe se në atë kohë ka pasur probleme shëndetësore.