Krasniqi: Në dialog hymë të papërgatitur

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka thënë se dialogu me Serbinë duhet të vazhdojë mbi bazën e Dokumentit të Presidentit Ahtisaari, sepse ky dokument përbën një ofertë të mirë për qytetarët serbë të Kosovës. Megjithatë, ai ka pranuar se Kosova ka hyrë në këto negociata pa konsensus dhe pa përgatitje të duhur.

“Kosova (Qeveria) para një viti ka filluar një proces të dialogut pa ndonjë përgatitje të duhur dhe kjo është bërë me kërkesën e Brukselit, pa ndonjë platformë të përgatitur enkas për këto bisedime dhe pa një konsensus nacional. Ç’është e vërteta, janë arritur disa marrëveshje – konkluzione, të cilat nuk po respektohen nga Serbia”, ka thënë Krasniqi në një intervistë për gazetën Shekulli.
Kryeparlamentari Krasniqi po ashtu ka vlerësuar se përkundër faktit që, komuniteti ndërkombëtar në Kosovë ka bërë punë të mira, të cilat për qytetarët e Kosovës kanë krijuar favore dhe perspektiva të shumta - bashkësia ndërkombëtare, sipas tij, gjatë gjithë këtyre viteve ka ndjekur politika së paku të dyfishta, një politikë për shqiptarët e një tjetër për serbët.
Për serbët, sipas Krasniqit, faktori ndërkombëtar ndoqi një politikë tolerante të pakuptimtë, ndërsa ndaj shumicës shqiptare ndoqi politika mosbesuese, sidomos ndaj njerëzve që në vazhdimësi kanë qenë kundërshtarë të regjimit pushtues të Beogradit.