Politika vendore dhe ajo ndërkombëtare kanë dorë në kaosin urbanistik të krijuar në 12 vjetët e fundit në Kosovë. Politikanët e pasluftës nuk kanë pasur vizionin për të rregulluar dhe për të krijuar një mirëqenie për qytetarët. Si rrjedhojë është prodhuar një arkitekturë me vendbanime dhe ndërtime spontane dhe pa ndonjë kriter, thotë Valdet Osmani, kryetar i Asociacionit të Arkitektëve të Kosovës
Ky kaos pritet të thellohet edhe më shumë me Ligjin e ri për ndërtim. “Pas analizave të bëra në detaje e kemi vërtetuar se hartuesit e këtij ligji nuk kanë as njohurinë elementare në ndërtim e as në procesin e dhënës së lejeve e shumë më pak për ligjet dhe proceset në fuqi. Pra, nuk janë ekspertë e as njohës të kësaj fushe. Ky projektligj si i tillë nuk do të rregullojë, por do të prodhojë kaosin”, thotë Osmani, gjatë një interviste për Koha Ditore.
Ky projektligj, sipas tij, do të dëmtojë buxhetin e Kosovës dhe do të shkaktojë pasoja negative të përmasave të mëdha për të ardhmen e Kosovës.
Për situatën kaotike urbane ai ka bërë përgjegjëse pushtetin dhe politikat e tij analfabete urbane.
Pohimet e Qeverisë se Projektligji, që ka kaluar leximin e parë në Kuvend, zvogëlon afatet, koston dhe nuk do të ketë vonesa në marrjen e lejes për ndërtim, Osmani i quan keqinformim dhe keqinterpretim. “Edhe ligji ekzistues e ka paraparë që leja të merret brenda 30 ditësh, por nuk është zbatuar. Kjo është edhe një dëshmi se projektligji nuk është analizuar mirë, sepse është e kundërta. Ligji ekzistues, edhe me gjithë të metat që ka, është shumë më funksional dhe elastik dhe lejon afate edhe më të shkurtra me kosto më të vogël në marrjen e lejes, por që nuk janë zbatuar. Ky Projektligj si i tillë nuk do të rregullojë, por do të prodhojë kaosin”, shprehet Osmani.