Procesi gjyqësor në rastin Kleçka pasi ishte ndërprerë për një javë, ka vazhduar të hënën. Avokati i deputeti Fatmir Limaj, Tahir Rrecaj, ka deklaruar se gjatë javës së kaluar pala mbrojtëse ka angazhuar një ekspert të grafologjisë për të vërtetuar dorëshkrimet e ditarit ‘X’, Agim Zogaj.
“Sot e kemi deponuar ekspertizën e këtij eksperti nga e cila rezulton se ditari të cilin prokurori e ka në gjykatë dhe mbi bazën e të cilit e ka ndërtuar edhe gjithë aktakuzën, ai ditar është shkruar në të paktën nga katër duar. Do të thotë nga katër persona të ndryshëm”, tha Rrecaj për REL.
Avokati Rrecaj theksoi se procesi do të vazhdojë edhe në ditët në vijim. Sipas tij “pala mbrojtëse ka insistuar me ngulm që prokurori i rastit Mauricio Salustro të dëgjohet në cilësi të dëshmitarit dhe të dëshmojë lidhur me akuzat shumë serioze të ngritur nga Agim Zogaj dhe bashkëshortja e tij”.
Procesi ende është në fazën e diskutimeve dhe të dëgjimit të palës mbrojtëse lidhur me ftesën që prokurori Salustro të jetë dëshmitar.
Pas të enjtes do të vazhdohet me diskutime për besueshmërinë dhe pranueshmërinë e deklaratave të Agim Zogajt, i cili muaj më parë bëri vetëverasje në Gjermani.
Procedura e gjykimit të deputetit Fatmir Limaj dhe nëntë ish-ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës - që të gjithë të akuzuar për krime kundër popullatës civile gjatë luftës më 1999, në atë që njihet si "rasti Kleçka" - ka nisur më 30 janar.