Nuk do të ketë asnjë shtesë në emërtimin e Republikës së Kosovës, as si 12 44 e as si fusnotë, ka thënë presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.
Zgjidhja e vetme për tri komunat në veri të Kosovës është zbatimi i plotë i pakos së Ahtisaarit. Presidentja tha se serbët që jetojnë në pjesë të tjera të territorit të Kosovës, janë integruar përbrenda institucioneve të Republikës së Kosovës, dhe kjo praktikë duhet aplikuar edhe në tri komunat në veri të vendit: Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.
“Sundimi i rendit dhe ligjit do të jetë i pakompromis në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Duhet luftuar strukturat e krimit të organizuar dhe të kontrabandës e të korrupsionit, dhe duhet të shuhen strukturat ilegale të cilat janë të mbështetura nga shteti fqinj i Serbisë. Zgjedhjet duhen bërë në bashkëpunim dhe me përkrahje të faktorit ndërkombëtar në Kosovë, që të kemi personat e zgjedhur legalë dhe legjitimë që do të përfaqësonin interesat e qytetarëve përbrenda institucioneve të Republikës së Kosovës”, ka thënë Jahjaga në një intervistë për DW.
Sa i përket propozimeve rreth përfaqësimit të Kosovës në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit dhe nëse Kosova do të pranojë një emër tjetër, veç atij të Republikës së Kosovës, Jahjaga tha se Kosova në procesin e dialogut ka hyrë si palë e barabarta dhe se përfaqësohet si subjekt shtetëror.
“Si e tillë do të vazhdojë të përfaqësohet edhe tash e tutje”, ka shtuar ajo.