Çështja e dyshimeve për trafikim me organe njerëzore gjatë luftës në Kosovë, duket se do të riaktualizohet sërish këtë javë.
Raporti i hetimeve të bëra nga Task Forca speciale - për akuzat që dolën nga raporti i përfaqësuesit të Këshillit të Evropës, Dick Marty - do të jetë pjesë e raportit për Kosovën, të cilin do ta prezantojë sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, në seancën e radhës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Megjithatë, nuk dihet saktësisht se çfarë do të përmbajë raporti - që hyn në kuadër të raportit të zakonshëm të punës së misionit evropian për sundimin e ligjit në Kosovë - dhe se a do të zë vend të diskutimet që do të zhvillohen në OKB.
Zëdhënësi i task forcës për hetime speciale i EULEX-it, Juri Laas, i tha Radios Evropa e Lirë se hetimi i udhëhequr nga prokurori amerikan, Clint Williamson, është ende në fazën e mbledhjes së informatave.
“Aktualisht, Task Forca është në procesin e sigurimit të informatave nga një varg burimesh institucionale, duke analizuar këto informata dhe duke kryer aktivitetet hetuese”, u shpreh ai.
Task Forca speciale e EULEX-it, për hetimin e akuzave që flasin për trafikim të organeve njerëzore gjatë luftës së 1999-s, u pat themeluar në shtator të vitit të kaluar, ndërsa në muajin tetor në krye të saj u emërua prokurori Williamson.
“Williamson vizitoi Shqipërinë dhe Kosovën para dy javësh. Në javët e ardhshme ka gjasa që ai ta vizitojë sërish Beogradin”, tha Laas.
Zyrtarët e shtetit serb kishin kërkuar vazhdimisht që çyshtja e akuzave të Martyt të dërgohet për shqyrtim në instancat vendimmarrëse të OKB-së.
Në ndërkohë, mësohet se është kompletuar ekipi i hetuesve ndërkombëtarë të Task Forcës speciale, ndërsa sipas nevojës thuhet se atij mund t’i bashkëngjiten prokurorë të tjerë.