Mustafa: Kosova po qeveriset keq

Kryetari i Lidhjes Demokratike e Kosovës, Isa Mustafa, thotë se Kosova po qeveriset keq nga qeveria aktuale, e prirë nga PDK-ja.

“Ne jemi dëshmitarë të një gjendjeje shumë të rëndë ekonomike, me papunësi të madhe, me varfëri të lartë e problemeve të mëdha në fushën e funksionimit të shtetit ligjor”, ka thënë Mustafa në një konferencë për media.
Sipas tij, gjendja në veri të Kosovës vijon të jetë shumë e rëndë, ndërsa qeveria dhe institucionet përkatëse thuajse kanë harruar se ekziston ky problem.
“Në anën tjetër, qeveria ka vijuar, pa asnjë platformë dhe pa agjendë, madje pa listë temash dhe pa rend dite, takimet dhe bisedimet me Serbinë për çështje shumë të ndjeshme, që prekin Kushtetutën dhe sovranitetin e pranuar ndërkombëtar të Kosovës”, ka thënë Mustafa, sipas të cilit Qeveria, nëpërmjet Grupit parlamentar dhe deputetëve të caktuar të PDK-së, në Kuvendin e Republikës së Kosovës sajon tema bizare, “me të cilat dëshiron të tërheq vëmendjen nga problemet reale”.
“Gjatë ditëve të fundit kemi qenë dëshmitarë shantazhesh të hapura nga njerëz të SHIK-ut brenda institucioneve të Republikës së Kosovës. Për infiltrimet e tilla të SHIK-ut, LDK-ja ka tërhequr vërejtjen disa herë gjatë viteve të fundit. Për ne është e papranueshme që SHIK-u të kontrollojë institucionet, që të shantazhojë deputetët dhe të tjerët”.
Për LDK-në, të gjitha çështjet duhet të zgjidhen brenda institucioneve të vendit, ndërsa Rezolutën për përfundimin e procesit të pavarësisë së mbikëqyrur të vendit.
“Demokracia, ashtu si e koncepton LDK-ja, nuk arrihet përmes mbylljes apo bllokimit të kufijve me fqinjët, por përmes hapjes së tyre”, ka thënë Mustafa, për të shtuar se demokracia nuk arrihet as përmes rrahjes dhe torturimit të deputetëve dhe të qytetarëve.
“LDK-ja perspektivën demokratike të këtij vendi nuk e sheh në zënka të brendshme dhe në manifestime mediatike. Perspektivën e vendit do ta sigurojmë nëse të gjithë ne punojmë për zhvillimin ekonomik, hapjen e vendeve të reja të punës, për arsimimin cilësor të brezit të ri dhe për funksionim të ligjit”.