Në organizim të Ministrisë së Integrimit Evropian, të premten u mbajt takimi i gjashtë i Komitetit Punues për Integrim Evropian. Me këtë rast u diskutua rreth fillimit të dialogut për liberalizmin e vizave dhe adresimin e sfidave të identifikuara në Raportin e Progresit 2011.
Ministrja e Integrimit, Vlora Çitaku, sipas një komunikate për media, shprehu përkushtimin e plotë të qeverisë në zbatimin e reformave të parapara me objektivat e kryeministrit për vitin 2012 dhe Planin e Veprimit për Partneritetin Evropian.
Çitaku nënvizoi se viti 2012 do të karakterizohet me kryerjen e detyrave të shtëpisë, duke u bazuar në dy shtylla kryesore: procesin e liberalizimit të vizave dhe avancimin e marrëdhënieve tregtare me Bashkimin Evropian.
Gjatë takimit, sekretarët e përgjithshëm të ministrive raportuan rreth progresit dhe sfidave në kuadër të përmbushjes së obligimeve të ministrive të tyre e që parashihen me kornizën strategjike në fushën e integrimit evropian.