Luftë e ‘dështuar’ kundër korrupsionit

Mënyra e hartimit të strategjive të deritashme për ta luftuar korrupsionin, ka qenë e gabuar dhe ka ndikuar negativisht në këtë luftë, vlerësojnë përfaqësuesit e Lëvizjes për qeverisje të mirë dhe qytetari aktive “Fol”.

Në një tryezë, të cilën e ka organizuar kjo Lëvizje, me temën “Strategjia kundër korrupsion 2012-2016”, përfaqësuesit e saj kanë theksuar se në hartimin e strategjisë së re po përsëriten gabimet e ngjashme, ashtu si më parë.
Armend Mazreku, hulumtues në Lëvizjen Fol, ka thënë se strategjia e re, ashtu sikurse ajo paraprake, nuk është fare në funksion të luftimit të korrupsionit. Ai ka kritikuar mënyrën e hartimit të strategjisë së re, duke vlerësuar se ajo ka një varg mungesash.
“Edhe në strategjinë ekzistuese, për fat të keq, nuk është bërë asnjë hulumtim paraprak empirik, i cili, pak a shumë, do të gjurmonte shkaqet, natyrën dhe karakteristikat e korrupsionit në Kosovë dhe që për fat të keq, ka qenë karakteristikë, apo thënë më mirë, ka qenë dobësi e të gjitha strategjive”, ka thënë Mazreku, raporton REL.
Kritikave të përfaqësuesve të Lëvizjes Fol, u është përgjigjur Burim Sadiku, shef i Divizionit për Legjislacion dhe Edukim në Agjencinë Kundër Korrupsion. Ai ka thënë se qëllimi i përgjithshëm i strategjisë së re kundër korrupsionit është që të kontribuojë në reduktimin progresiv të korrupsionit, forcimin e integritetit dhe ndërtimin e besimit të qytetarëve në institucionet e qeverisjes, si dhe për të promovuar parimin e “tolerancës zero” ndaj korrupsionit.
Ndërkaq, sipas raportit të Organizatës Botërore për luftë kundër korrupsionit, Transparency Internacional, Kosova ka rënë edhe më shumë në rangimin e shteteve, të cilat e luftojnë korrupsionin. Ndryshe, Strategjia Kundër Korrupsion 2012-2016 tashmë është miratuar nga Qeveria e Kosovës dhe pritet të miratohet edhe në Kuvendin e Kosovës.