Shkalla e dytë liron të arrestuarit e ‘Vetëvendosjes’

Gjykata e Qarkut në Prishtinë ka anuluar vendimin e gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës Komunale në Podujevë për arrest shtëpiak të 8 aktivistëve të “Vetëvendosje” dhe një qytetari të arrestuar në protestën e 14 janarit në Podujevë, si dhe e ka kthyer çështjen në rishqyrtim në shkallën e parë.

Vendim i shkallës së dytë është marrë pas ankesës që kanë ushtruar mbrojtësit e Frashër Krasniqit, Salih Zybës, Naim Bunjakut, Bekim Sylejmanit, Genc Musës, Hysen Durmishit, Musa Ajetit, Gëzim Hysenit dhe Sabri Bajraktarit.
Ky i fundit e kishte mohuar në seancën dëgjimore se ka qenë pjesëmarrës në protestë, por ka thënë se kishte ardhur nga Dragashi për ta shitur një veturë në Podujevë dhe se është arrestuar e rrahur nga policia kur ka dalë prej një kafeneje në dalje të qytetit, raporton Koha.
Sipas Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, aktvendimi është i paligjshëm sepse në të nuk janë përshkruar veprimet e secilit të pandehur veç e veç, pastaj veprimet e të pandehurve nuk hyjnë në vepra penale nga kapitulli XXVIII i KPK-së.