Opsion energjia alternative

Prodhimi i energjisë përmes hidrocentraleve, energjisë diellore, biomasës dhe erës, shihet si opsioni më i mirë për Kosovën nga shoqëria civile. Mirëpo si zyrtarët aktual, ashtu edhe ata të mëparshëm të qeverisë së Kosovës, e shohin si jetike shfrytëzimin e potencialeve të thëngjillit që i ka vendi.

Sipas një studimi të bërë nga Daniel Kammen, nga Universiteti i Kalifornisë, përkrahur nga shoqëria civile e Kosovës, prodhimi i energjisë alternative shihet si më I mirë për vendin.
Profesor Kammen, theksoi se sipas studimit, rreth 40 për qind e energjisë në Kosovë mund të prodhohet në këtë mënyrë. “Ekziston një opsion, përdorimin si të hidrocentraleve të mëdha edhe të vogla, përdorimin e energjisë diellore, biomasës si dhe përdorimin e gjerë të energjisë elektrike nga era. Ky opsion jep 38 për qind të kërkesë për energji përmes burimeve të ripërtëritshme si dhe siguron pothuaj 30 për qind më shumë vende pune sesa opsioni për një termocentral të ri me thëngjill”, tha Kammen.
Nga ana e tij, krye-parlamentari Jakup Krasniqi, theksoi se janë bërë shumë gabime gjatë viteve në politikat energjetike. “Gjatë këtyre 12 viteve në sektorin e energjisë në Kosovë vërtet janë ndjekë politika të gabuara. Të shpresojmë se do të mbyllet kjo praktikë e politikave të gabuara”, u shpreh Krasniqi.
Mirëpo, Liridon Mavriqi, nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, nuk u pajtua me konstatimet e kryeparlamentarit. “Qeveria e Kosovës vitet e kaluara ka bërë dhe tash vazhdon të bëjë një progres shumë të madh në sektorin e energjisë elektrike, kjo ka filluar bazuar fillimisht në strategjinë e energjisë elektrike e cila është aprovuar nga Parlamenti I Kosovës”, theksoi Mavriqi.Mavriqi, ashtu si edhe ish-zëvendësministri i Energjisë, Blerim Rexha, duke mos e minimizuar rëndësinë e energjisë alternative, theksuan si jetike për vendin, shfrytëzimin e potencialeve të thëngjillit për prodhimin e energjisë nga Termocentralet.