Qumështi i pluhurosur

Drejtuesit e kompanive të prodhimit të qumështit dhe akulloreve flasin me frikë kur është në pyetje qumështi pluhur. Edhe pse zyrtarë doganor tregojnë se sasi të mëdha të qumështit pluhur importohen në Kosovë, të gjitha kompanitë kosovare mohojnë se e përdorin këtë produkt.

Të dhënat e importit, të cilat Gazeta Express i ka marrë nga Doganat e Kosovës, tregojnë se qindra mijëra kilogramë qumësht pluhur importohen çdo vit në Kosovë, në mënyrë të rregullt. Pjesa më e madhe thuhet se destinohet për kompanitë përpunuese të qumështit. E Agjencia Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës, deklaron se vetëm një kompani për prodhimin e akulloreve e shfrytëzon këtë produkt.
Në mesin e kompanive që më së shumti punon me qumësht pluhur, zyrtarë të Doganave të Kosovës në kushte anonimiteti thonë se është kompania për prodhimin e qumështit Vita, Devolli Group.
Por, përfaqësuesit e kësaj kompanie kanë mohuar për Gazetën Express, duke thënë se nuk e përdorin qumështin pluhur për prodhimin e qumështit.
Statistikat e doganës tregojnë se gjatë vitit 2011 kanë ardhur nga importi më shumë se 113 mijë kilogramë qumësht pluhur. Ndërsa vendi më i madh prej nga furnizohen kosovarët del të jetë Holanda me 41 mijë kilogramë dhe Bosnja e Hercegovina me 16 mijë kilogramë.