Më shumë se 320 milionë euro deri më tash ka marrë kompania “Bechtel&Enka” për punën që po e bën në ndërtimin e autostradës Morinë – Merdar. Pavarësisht krizës buxhetore në të cilën po kalon Kosova, pagesat ndaj kompanisë deri më tash asnjëherë nuk janë vonuar nga Qeveria e Kosovës, pasi sipas tyre Qeveria nuk guxon ta shkelë qoftë një nen të vetëm të marrëveshjes të nënshkruar nga kryeministri Hashim Thaçi, dhe ish- ministri i transporteve Fatmir Limaj.
Sipas marrëveshjes së nënshkruar, kostoja e ndërtimit të autostradës do të kushtojë më shumë se 700 milionë euro, ku Qeveria do t’i japë kësaj kompanie edhe rreth 400 milionë tjera gjatë këtij viti, por edhe gjatë vitit 2013.
Lah Nitaj, këshilltar i ministrit të Infrastrukturës Fehmi Mujota, konfirmon se deri më tash Qeveria i ka dhënë kompanisë “Bechtel & Enka” hiç më pak se 320 milionë euro. Sipas tij, kompania i merr paratë nga Qeveria për çdo punë që e kryen ajo.
Këshilltari i ministrit Mujota thotë se deri më tash të kompletuara janë 38 kilometra, por ai premton se brenda një kohe shumë të shkurtër kompania do të lëshoje në qarkullim edhe 4 kilometra të tjerë, pasi që në to një pjesë e konsiderueshme e punëve kanë mbaruar.
Në anën tjetër zyrtarë të kompanisë “Bechtel&Enka” janë tejet të kënaqur me zbatimin e kontratës së nënshkruar me Qeverinë e Kosovës.
Zëdhënësja e kompanisë Ela Ruci thotë se deri më tash kompania nuk ka pasur as problemin më të vogël me Qeverinë sa i përket pagesës së mjeteve për punën që po bëhet. “Paratë paguhen ashtu siç është paraparë me kontratë. Për çdo punë që kryen kompania merr paratë nga Qeveria e Kosovës”, thotë ajo. Ruçi thotë se kompania edhe të tej po vazhdon ritëm të njëjtë të punimeve edhe përkundër temperaturave të ulëta që po mbizotërojnë në vendin tonë.
“Aktualisht janë duke punuar rreth 1000 punëtorë. Por, numri do të rritet shumë e më shumë, pasi që të premten në Malishevë është panairi i punësimit dhe nga aty do të punësohen një numër i konsiderueshëm i punëtoreve”, tha ajo.
Sipas saj, kompania “Bechtel & Enka” do t’i kryejë punët para kohës së paraparë me kontratën e nënshkruar mes Qeverisë dhe kompanisë që ajo e përfaqëson.
“Aktualisht janë duke punuar rreth 1000 punëtorë. Por, numri do të rritet shumë e më shumë, pasi që të premten në Malishevë është panairi i punësimit dhe nga aty do të punësohen një numër i konsiderueshëm i punëtoreve”, tha ajo.
Sipas saj, kompania “Bechtel & Enka” do t’i kryejë punët para kohës së paraparë me kontratën e nënshkruar mes Qeverisë dhe kompanisë që ajo e përfaqëson.
Përndryshe nga muaji shtator është lëshuar në qarkullim aksi i parë i autostradës nga pika kufitare e Morinës e deri në dalje të qytetit të Suharekës.
Në anën tjetër zyrtarë të Ministrisë së Financave thonë se procesi i shpronësimit të tokave kah do të kalojë autostrada është në përfundim e sipër.
Shkelzen Morina, udhëheqës i departamentit për shpronësime nga Ministria e Financave, ka thënë se deri më tani janë shpronësuar 64 km tokë për autostradë. Ai ka konfirmuar deri më tani se Ministria e Financave ka paguar për 43 km tokë kah do të kalojë autostrada. Ndërsa sipas tij, pjesa tjetër është në proces e sipër për t’u shpronësuar.
Ai ka thënë se para pak ditësh ministria ka shpallur vendimin për shpronësim edhe të pjesës së fundit të tokave kah do të kalojë autostrada në disa fshatra të komunës së Malishevës.